Secondary Adv

Boom energjetik në Shqipëri, eksportet u rritën me 105 për qind në 3-mujorin e parë 2026

Rritja e fortë e prodhimit vendas të energjisë elektrike gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka kthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë, me eksportet që u rritën mbi 105 për qind krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti në 3,647 GWh në tre muajt e parë të vitit, nga 2,234 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke regjistruar një rritje të fortë prej 63.2 për qind.

 

Hidrocentralet mbështetën rritjen e prodhimit

Sipas bilancit energjetik, rritja është mbështetur kryesisht nga prodhimi i hidrocentraleve publike dhe private. Hidrocentralet publike prodhuan 1,667 GWh energji, ose 63 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa prodhuesit privatë dhe koncesionarë arritën në 1,726 GWh, me një rritje prej 66.8 për qind.

 

Edhe prodhimi nga burimet e tjera të rinovueshme, kryesisht centralet fotovoltaike, vijoi zgjerimin. Në tremujorin e parë, energjia nga këto burime arriti në 254 GWh, rreth 44 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

 

Importet bien, eksportet dyfishohen

Rritja e prodhimit vendas ndryshoi ndjeshëm edhe balancën tregtare të energjisë. Importet ranë me 57.4 për qind, duke zbritur në vetëm 327 GWh, nga 767 GWh që ishin në tremujorin e parë të vitit 2025.

 

Në të kundërt, eksportet e energjisë elektrike u dyfishuan, duke arritur në 1,503 GWh, ose 105.4 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Si rezultat, Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv neto prej 1,177 GWh, duke eksportuar shumë më tepër energji sesa importoi gjatë tre muajve të parë të vitit.

 

Rritet edhe konsumi në vend

Konsumi i energjisë elektrike në vend vijoi gjithashtu rritjen. Përdorimi total nga konsumatorët arriti në 1,954 GWh, me një zgjerim prej 9.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Konsumi familjar u rrit me 8.8 për qind, ndërsa ai i bizneseve dhe kategorive jo familjare me 9.5 për qind, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën më të lartë për energji.

 

Humbjet në rrjet mbeten të larta

Pavarësisht përmirësimit të prodhimit dhe eksporteve, humbjet në rrjet vijojnë të mbeten të konsiderueshme. Në tremujorin e parë të vitit 2026 ato arritën në 516 GWh, me një rritje prej 8 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

Megjithatë, pesha e humbjeve ndaj energjisë totale në dispozicion ra lehtë në 20.9 për qind, nga 21.1 për qind që ishte një vit më parë.

 

Kushte më të favorshme hidrike për sektorin

Të dhënat tregojnë se viti 2026 ka nisur me kushte shumë më të favorshme hidrike për sektorin energjetik shqiptar, duke rikthyer prodhimin vendas në nivele të larta dhe duke reduktuar ndjeshëm varësinë nga importet.

 

Kjo situatë pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në kostot e furnizimit me energji për ekonominë shqiptare dhe në balancën energjetike të vendit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat